Albinspekt është trupa e parë shqiptare e listuar nga Bashkimi Europian në Listën e Trupave inspektuese dhe çertifikuese të njohura nga BE

Albinspekt njofton arritjen e tij të radhës si Trupa e parë shqiptare e njohur nga Bashkimi Europian për të kryer inspektimin dhe çertifikimin e produkteve organike sipas standarteve ndërkombëtare të BE-së.

Albinspekt operon në rajon që prej vitit 2006 dhe sot është lideri kombëtar për Çertifikim Bio të produkteve shqiptare për tregun evropian e më gjerë. Falë stafit të tij tepër të specializuar dhe përpjekjeve të vazhdueshme, kjo trupë është përfshirë në publikimin e parë të ‘Listës së trupave të kontrollit që njihen nga Bashkimi Evropian për të zbatuar masat e kontrollit sipas kërkesave të standartit ekuivalent me Rregulloren e BE-së për bujqësinë organike. Kjo listë përfshin rreth 30 trupa çertifikimi nga e gjithë bota, ndërkohë që numri i aplikimeve për tu përfshirë në të ishte mbi 70 aplikime.

Albinspekt është njohur për të ushtruar aktivitetin e tij në Shqipëri dhe Kosovë. Nëpërmjet kësaj njohjeje të gjitha kompanitë e çertifikuara nga Albinspekt në bazë të standarteve ekuivalente, mund ti eksportojnë produktet e tyre në vendet e Bashkimit Europian pa nevojën për të pasur një çertifikatë eksporti, që prej 1 Korrik 2012. Këto produkte, në bazë njohjes së përbashkët të SHBA-së dhe BE-së, mund të tregtohen si organike dhe në SHBA dhe Kanada pa nevojën e një çertifikimi shtesë për standartin amerikan për bujqësinë organike-NOP.